Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Marrëdhëniet me Rusinë varen nga faktorët e jashtëm dhe pas vizitës së Kryeministrit Medvedev në Bullgari

Foto: BGNES

Më 4 dhe 5 mars Kryeministri i Rusisë Dmitri Medvedev ishte në Bullgari për një vizitë zyrtare, e cila ishte ngarkuar me pritje të larta paraprake. Kishte supozime për zhvillime pozitive sa u përket ideve për degëzimin e gazsjellësit “Rryma Turke” përmes territorit bullgar, për qendrën e shpërndarjes së gazit “Ballkan”, për rimëkëmbjen e ndërtimit të centralit atomik “Belene”. Disa ditë para vizitës së Medvedevit Presidenti Rumen Radev i bëri thirrje qeverisë “për ta materializuar” takimin kështu qe Bullgaria të mos jetë peng i interesave të huaja.

Në fakt edhe pala bullgare, edhe ajo ruse njohin se marrëdhëniet e tyre sot janë larg niveleve të larta nga e kaluara, kur nuk ishin në pole të ndryshme në politikën botërore. Prandaj edhe gjatë vizitës së Dmitri Medvedevit homologu i tij bullgar Bojko Borisov shënoi se“në kushtet e sanksioneve dhe tensionit të madh arrijmë ta mirëmbajmë marrëdhënie shumë të mira pragmatike pune dhe... megjithë marrëdhëniet e vështira ndërkombëtare ta ruajmë tonin e mirë”.

Në Sofje Medvedev nuk justifikoi shpresat për një zhvillim më të shpejtë të favorshëm të idesë për degëzimin e gazsjellësit “Rryma Turke” përmes Bullgarisë, duke deklaruar kategorikisht se tranzitimi i gazit përmes Bullgarisë dhe Evropës do të jetë i mundshëm kur Moska merr garanci jo nga ana e Bullgarisë, por nga ana e Komisionit Evropian se në të ardhmen ky projekt nuk do të ndeshet me pengesa. Kryeministri Borisov deklaroi para Medvedevit se për Bullgarinë është me rëndësi që të vazhdojë tranzitimi i gazit rus drejt Evropës dhe mendon ta bëjë këtë nëpërmjet projektit për qendrën e shpërndarjes së gazit “Ballkan”. Mirëpo, udhëheqësi i “Gazpromit” Aleksej Miler, i cili e shoqëronte Medvedevin, bëri të ditur se kompania shtetërore ruse nuk planifikon pjesëmarrje në ndërtimin e projektit “Ballkan”, sepse të gjitha resurset e saj në regjion tashmë janë arritur në plan afatgjatë.

Sa i përket centralit atomik “Belene” Kryeministri Medvedev komentoi se pala ruse është e gatshme ta shqyrtojë pjesëmarrjen e vet në projekt për rifillimin e ndërtimit të centralit. Mirëpo, kjo nuk mund të ndodhë para se të jetë marrë vendimi nga ana e Sofjes për modelin ekonomiko-financiar dhe për format e mundshme të mirëmbajtjes së tij. Tani për tani vendime të tilla nuk ka. Për tonin e mirë të marrëdhënieve, të përmendur nga Bojko Borisovi, flet edhe ndjenja e humorit të Kryeministrit Medvedev. Me shaka dhe deri diku me ironi ai tha se sipas të dhënave që disponon rryma turistike nga Bullgaria drejt Rusisë gjatë pesë viteve të fundit është rritur deri në 56 mln veta, por në fakt është pak mbi 50 mijë. Ndërsa para se të largohet nga Bullgaria ai tha përsëri me shaka se i ka ardhur ideja që levi bullgar mund të lidhet me juanin kinez dhe jo me euron, sepse edhe valuta kineze është stabile.

Gjatë vizitës së Kryeministrit rus në Sofje nga Moska erdhi lajmi se Presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar një urdhër për ndërprerjen nga ana ruse të aplikimit të Marrëveshjes për likuidimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi. Dy ditë më herët Bojko Borisov i kishte thënë në Sofje sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se Bullgaria është një aleat besnik dhe jo kali i Trojës i Rusisë në Aleancë. Në të vërtetë Kryeministri bullgar e ka të drejtën, duke thënë se në realitetet e sotme të vështira ndërkombëtare është me rëndësi të ruhet toni i mirë në marrëdhëniet dypalëshe.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Njerëzit me pasaporta bullgare në Maqedoninë e Veriut votuan si për partinë në pushtet ashtu edhe për opozitën

Më 8 maj, në Maqedoninë e Veriut u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Para votimit, një nga publicistët kryesorë shqiptarë në vend i quajti bullgarët "jetimët" në fushatën zgjedhore, sepse..

botuar më 24-05-12 9.55.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Edi Rama kërkon një vend në Athinë për të takuar diasporën shqiptare Të gjitha partitë në Greqi kanë deklaruar se vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë është e padëshirueshme. Ai kërkon të takohet me diasporën shqiptare më 12..

botuar më 24-05-11 5.55.PD

Në Bullgari fillon fushata zgjedhore për votën “2 në 1”

Nga ora 00:00 e datës 10 maj, Bullgaria është në një fushatë zgjedhore 30 ditore. Kjo është fushata e gjashtë për një parlament kombëtar brenda 3 viteve e gjysmë. Megjithatë, e veçanta është se tani për besimin e zgjedhësve do të konkurrojnë  si..

botuar më 24-05-10 5.15.PD