Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

80 vjet nga lindja e këngëtares operistike Gena Dimitrova

Foto: arkiv

Ditë e Ushtrisë Bullgare, Ditë e Shën Gjergjit Trofeprurësi – festë e krishtere dhe folklorike, dita e gjashtë e majit shton edhe një solemnitet tjetër për adhuruesit e muzikës operistike nga gjithë bota. Në këtë datë 80 vjet më parë lindi këngëtarja e madhe operistike bullgare Gena Dimitrova. Ajo është ndër emblemat muzikore të Bullgarisë, njihet si një nga këngëtaret më të mira të operave të Verdit, e cila la kujtime të bukura te studentët, admiruesit dhe ndjekësit e saj. Veprimtaritë e kushtuara këtij përvjetori të shënuar tashmë filluan – më 30 prill Opera e Sofjes prezantoi operën “Makbet” nga Verdi me këngëtarët e njohur bullgarë Aleksandrina Pendaçanska dhe Kirill Manollov; piktori Pllamen Rusev, nipi i primas së operës, i kushtoi asaj ekspozitën e tij “Puplat e Dragoit”. Dhe ne, nga Radio Bullgaria, do t'ju kujtojmë momente domethënëse nga biografia e saj.

Ajo lindi në fshatin Beglezh në afërsi të qytetit Pleven (Bullgari Qendrore Veriore). Karrierën operistike e nisi në Bullgari. Roli i saj i parë ishte i Abigailës në operën “Nabuko” të Verdit në skenën e Operës së Sofjes në vitin 1967. Në një incizim nga viti 1978 që ruhet në “Fondin e Artë” të Radios Kombëtare Bullgare, Gena Dimitrova tregon:

Në rolin e Abigailës nga “Nabuko” e Verdit

“Nuk e mbaj mend herën e parë kur dëgjova muzikën operistike, por tani mund të them, se më ndikuan të gjitha veprat që preka në vitet 50 të shekullit XX, sepse atëherë u formova si e re e cila fillonte të ëndërronte për ndonjë profesion. Ata më bënë të mendoj për zërin që kisha, i cili u zbulua nga mësuesit e mi të shkollës së mesme, dhe të nisem në rrugën e artit operistik. Nuk mund të them se gjithçka e kam arritur me lehtësi. Hyrja ime në Konservator (tani Akademi Kombëtare Muzikore “Panço Vlladigerov”) ishte një fillim nga zeroja. Nuk isha e përgatitur, por kisha të dëgjuarin shumë të mirë dhe muzikalitet të lindur, i cili ende më ndihmon në gjërat e vështira që duhet të kapërcej çdo ditë. Më pranuan në klasën përgatitore për shkak të të dhënave të jashtëzakonshme të zërit. Isha në klasën e Prof.Brëmbarov i cili kujdesej shumë për mua por edhe unë e dëgjova çfarë më këshillonte. Unë isha një zë i vështirë, studiova si mezosoprano për dy vjet, pastaj kalova te partitë e sopranos. Studiova vokaliza për një kohë të gjatë - rreth pesë vjetësh, pastaj fillova të punoj mbi vepra të veçanta. Kur hyra në opera, studiova partitë individuale me profesorin.”

Përderisa  studionte Gena Dimitrova punonte në mensën e Konservatorit për të mbajtur veten. Disa nga shokët e saj të klasës talleshin me “vajzën e fshatit” për këtë. Mirëpo pedagogia muzikore Liljana Zhablenska shqiptoi një frazë që mbetet në histori: “Sot po talleni me të që lan pjatat, por një ditë ju do të lani pjatat e saj!”. Çmimi i parë i Konkursit Ndërkombëtar për Këngëtarë të Rinj të Operës në Sofje në vitin 1970, i dha mundësi asaj të specializojë për dy vjet në Studion e Këngëtarëve të Rinj të Operës në La Skala (La Scala opera school in Milan). Gjatë stazhit, këngëtarja e re mori pjesë në konkurse dhe shfaqje operash në Itali. Në vitin 1972 ajo rikrijoi rolin e Amelias në operën “Ballo me Maska” të Verdit në La Scala, së bashku me Placido Domingo dhe Pietro Capucci. Paraqitja e saj e parë në Operën Shtetërore të Vjenës (Wiener Staatsoper) ishte në 1978. Para kësaj ajo tashmë kishte shfaqje në skenat e mëdha të operës në Evropë, Argjentinë dhe Brazil.

Në rolin e princeshës Turandot nga opera me të njëjtin titull nga Puçini

Në dhjetor të vitit 1983 Gena Dimitrova debutoi si Turandot në operën me të njëjtin titull të Puçinit në shfaqjen e regjisorit Franco Zeffirelli në skenën e La Skalës në Milano. Në mjedisin e ndritshëm të yjeve muzikore - dirigjentit Lorin Maazel dhe solistëve Placido Domingo, Katya Richarelli dhe Nicola Martinucci, ndriçoi edhe ylli i bullgares. Ajo tashmë ishte e vërejtur nga elita muzikore, por Turandot ishte që Gena të bëhej një nga yjet më të mira të operës të të gjitha kohërave. Katër vjet më vonë në vitin 1987 Gena Dimitrova debutoi në rolin e princeshës kineze Turandot në Metropolitan në Nju Jork prapë në bashkëpunim me regjisorin Franco Zeffirelli. Pas kësaj në vazhdim të 10 vjetëve emri i bullgares ishte në programin e çdo stine muzikore të Metropolitanit.

Gena Diitrova organizonte klasa të mjeshtërve në Athinë, Romë, Budapest, Sofje e gjetkë. Ajo punonte me këngëtarë të rinj, organizonte koncerte, në disa prej tyre merrte pjesë edhe si interpretuese. Në kujtim të kujdesit të saj për të ardhmen e artit operistik në qytetin Pleven mbahet Konkursi Ndërkombëtar “Gena Dimitrova”, i cili sivjet pret edicionin e tij të katërt.

Pllaka përkujtimore para shtëpisë së këngëtares Gena Dimitrova në Vjenë

Simbolikisht, pllaka përkujtimore të vendosura para shtëpisë së saj në Vjenë dhe shtëpisë së saj të lindjes në fshatin Beglezh shënojnë rrugën e këngëtares së paharrueshme - një rrugë e mbushur me vështirësi, por edhe me njohjen më të madhe për një artist - dashurinë dhe kujtimin për atë që është bërë në këtë tokë.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: arkiv, operasz.bg dhe BGNES



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vasko Krëpkata feston ditëlindjen!

Një nga përfaqësuesit më të njohur të bluеsit në Bullgari, Vasko Krëpkata (Arna), feston sot 65-vjetorin e lindjes. Vasill Georgiev ka lindur më 6 qershor 1959 në Sofje. Atje ai krijoi grupin e parë të njohur për këtë stil në lagjen “Poduene”, ku..

botuar më 24-06-06 6.20.PD

"Shpirti im" - një zbulim i ri nga Bellosllava

Bellosllava mirëpret verën me disa ngjarje - një këngë të re, një turne veror dhe një pllakë të re të gramafonit. Në këngën e titulluar “Shpirti im”, këngëtarja flet për rrugëtimin e dashurisë. “Teksti i këngës "Shpirti im" ka të bëjë me..

botuar më 24-06-05 6.55.PD

"Dashuria si një qiell"

Pak pas prezantimit të baladës së tij të bukur “Po vrapojmë” ,  Miro ka një tjetër këngë të re, kësaj radhe me një tingull të lehtë të stilit karakteristik për vitet 80 dhe 90 të shekullit të njëzetë. Për krijimin e "Dashuria si një qiell"..

botuar më 24-06-04 8.25.PD