Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Todor Kemilev - në gjurmët e një arkivi të humbur fotografish

Todor Kemilev
Foto: личен архив на Антоанета и Йоанна Кемилеви

"E gjithë familja jonë vizitonte vazhdimisht studion "Foto Kemilev", një artist fotograf i mrekullueshëm! Në vitrinë dhe në studio shfaqeshin shumë portrete muzikantësh, artistësh, piktërosh, shkrimtarësh... një galeri e tërë."

Znj. Dimi Dimçeva - vajza e violonçelistit Nikolla Dimçev, emri i të cilit zbukuroi posterat e Orkestrës Filarmonike të Sofjes në mesin e shekullit të kaluar, shkruan në një copë letër fjalë me ngarkesë të madhe emocionale. Në pamje të parë, me fjalë të pakta, të kuptueshme për qytetarët e vjetër të Sofjes, por edhe prekëse, duke u risjellë kujtimet e njerëzve të tyre të çmuar. Por siç ndodhte shpesh në të kaluarën komuniste, emri i fotografit të dashur dhe të nderuar u zhduk me një lëvizje.

"Babai ynë, Todor Angellov Kemilev, ka lindur në vitin 1910 në Dobriç” – kështu e nis rrëfimin qeramistja Joana Kemileva. - Ai është një emër në fushën e fotografisë bullgare, i cili, me dhimbje dhe pikëllim të madh them, është harruar dhe vepra e tij është fshirë për shkak të rrethanave në jetën tonë. Vëllai i tij u diplomua për farmaci, motra për mjekësi, ndërsa ai vetë filloi të ndiqte mësimet e armenit Sasigijan, nga i cili trashëgoi aftësitë teknike të fotografisë. Dhe kur gjyshi ynë e pa se me sa shumë dashuri e kishte profesionin, të dy shkuan në Vjenë, ku ai i blen një aparat fotografik - e vetmja gjë që ia dolëm të ruanim nga konfiskimi dhe shkatërrimi total i punës dhe pasurisë së babait tonë."

Ambicioz, novator, avangardist, vetëm 17-vjeç Todor Kemilev hap një studio në vendlindjen e tij. Ai tashmë e kishte pikturuar ikonën e Shën Marinës në kishën lokale “Shën Gergji” dhe me mjeshtërinë e një artisti krijon fotoportrete artistike të bashkëqytetarëve të tij. Në vitin 1940 filmon festimet me rastin e kthimit të Dobruxhës Jugore në kufijtë e atdheut dhe tre vjet më vonë - një film për varrimin e Mbretit Boris III.

I martuar me Cvetana Stambollovën nga Sofja, në vitin 1942 ai shpërngulet në kryeqytet, ku në rrugën "Car Osvoboditell" nr. 12, përballë Ambasadës Italiane, hap "Foto Kemilev". Ai shpejt arriti të bëj të njohur emrin e tij për publikun e Sofjes dhe para objektivit të tij fotografik kanë pozuar shumë politikanë, artistë, qytetarë "të thjeshtë", të gjithë duke besuar në dhuntinë e tij për të prekur thellësinë e qenies njerëzore dhe për ta përjetësuar atë.

"Ai sillej me të gjithë njëlloj – duke falur të njëjtën vëmendje dhe dashuri - tha vajza tjetër e Todor Kemilevit - Antoaneta, e cila e trashëgoi profesionin e tij. – Shkëmbente disa fjalë të mira me klientët. Për shembull, një çifti që vinte për të bërë një portret familjar ai do t'i thoshte, "Kujtoni momentin e parë që jeni takuar" dhe kjo do të sillte kujtime të këndshme. Më anë të fjalëve ai arrinte të sillte buzëqeshje, të tregonte një ndjenjë të mirë ndaj njerëzve dhe kjo shfaqej në foto."

Todor Kemilev renditet në mesin e tetë profesionistëve të vlerësuar me titullin "Artist Fotograf", të cilët, pas grushtit të shtetit të 9 shtatorit dhe shtetëzimit që pasoi, u lejuan të vazhdonin praktikën e tyre private. Në vitin 1950, ai e zhvendos studion e tij në rrugicën e vogël "Benkovski".


Fotografi deri në fund të jetës së tij gëzonte respekt të madh përkrah emrave si Petër Papakoçev, Emill Rashev, Stanço Xhishev, Minko dhe Penço Ballkanski. Ai u largua nga kjo botë në vitin 1969, duke i qëndruar besnik pasionit të tij deri në frymën e fundit. Vajza e tij e madhe Antoaneta trashëgoi "Foto Kemilev" që vazhdoi të ekzistonte edhe për katër vite të tjera, derisa një ditë vajza e re bëri një hap fatal, i cili në një çast do të fshinte nga kujtesa e njerëzve profesionistin dhe personin e dashur dhe të respektuar Todor Kemilev.

Antoaneta dhe Joana Kemileva

Në vitin 1973, Antoaneta Kemileva largohet nga Bullgaria dhe etiketohet menjëherë si emigrante. Ajo dënohet me 3 vite burg, gjobë dhe u konfiskua e gjithë pasuria e familjes - apartamenti së bashku me studion, pajisjet, arkivi i fotografive etj. Dhe megjithëse pas 10 nëntorit 1989, familja fillon kërkimin e trashëgimisë 42-vjeçare të Todor Kemilevit, nuk ka asnjë gjurmë prej saj.

"Edhe pse kanë kaluar 50 vite, nuk e kam të lehtë të flas për këtë çështje. Asokohe nuk i kisha menduar pasojat", thotë Antoaneta Kemileva nga Kanadaja, ku ajo zhvendoset pas arratisjes së saj. Së bashku me motrën e saj Joanën, sot ajo po bën gjithçka për të rikthyer emrin dhe veprën e Todor Kemilev. Ato tashmë kanë lënë pas dy ekspozita - në Sofje dhe Dobriç, por shpresojnë të plotësojnë kujtimin e babait të tyre përmes arkivave familjare të disa brezave.

"U bëjmë thirrje personave që në albumet e tyre familjare mbajnë fotografi me vulën "Foto Kemilev" të na telefonojnë për t’i skanuar – thotë Joana Kemileva. - Babai ynë nuk e meritonte këtë fatkeqësi – duket sikur ai nuk ka krijuar, nuk ka ekzistuar, por kjo vlen edhe për shumë njerëz të tjerë, të cilët për një sërë arsyesh që nuk vareshin nga ata, i kanë jetët e shkatërruara. Dhe tani, kur vitet tona kanë ikur, duam ta bëjmë këtë gjest për përkujtimin e Todor Kemilevit, sepse emri i tij në historinë e fotografisë bullgare është domethënës dhe nuk duhet harruar.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: arkiv personal




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

“Çeta Fluturuese e Benkovskit”, artisti Petër Morozov

Të huajt në “Çetën Fluturuese” të Georgi Benkovskit

Krijuesi i organizatës së brendshme për Çlirimin e Bullgarisë, Vasill Levski , duke formuar komitetet revolucionare në trojet bullgare, ishte i pari që përfshiu të huajt që punonin në "Hekurudhën Lindore" të baron Moritz Hirsch. Në rrjetin e tij..

botuar më 24-04-22 5.22.MD

Para 80 vjetësh u zbulua tuma e Kazanllëkut

"Njeriu nuk e njeh rrugën drejt qiellit, por kali e di", thotë një fjalë e urtë trake. Prandaj, mbretërit trakë dërgoheshin me patjetër në botën e përtejme së bashku me kuajt e tyre. Për shkak të varreve të shumta të sundimtarëve nga epoka helenistike,..

botuar më 24-04-19 7.30.PD

Mbushen 80 vjet nga bombardimi i fundit i Sofjes

Më 17 prill, 80 vjet më parë, ndodhi bombardimi i fundit dhe më brutal i Sofjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944, më 17 prill në mesditë, 350 bombardues amerikanë, të shoqëruar nga gjuajtësit “Thunderbolt” dhe “Mustang”, hodhën 2500 bomba..

botuar më 24-04-17 1.48.MD