Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

A e dini cila është ngjyra e kuriozitetit?

Dimi Komanduçi eksploron emocionet vokale të frymëzuara nga fëmijët bullgarë në Romë

“Dëgjoni zemrën kur flisni me dikë, mos dëgjoni kokën”, këshillon trajneri i zërit

Foto: arkiv personal

Zëri ynë është edhe aleati ynë në rrugën drejt arritjes së qëllimeve tona personale. Ai është ADN-ja jonë emocionale, unike sa bebëza e syrit, shpjegon Dimitrinka Jordanova - Komanduçi, trajnerja e parë e zërit /voice coach/ në Bullgari. Cilat janë ngjyrat e emocioneve dhe se si zotërimi i emocioneve vokale e ndihmon komunikimin e fëmijëve që rriten në një mjedis dygjuhësh - për të gjitha këto ajo tregon para Radio Bullgarisë.

Nxënësit nga Shkolla e së Dielës “Asen dhe Ilija Pejkovi” në Romë frymëzojnë psikologen Dimi Komanduçi për studime që ndihmojnë zhvillimin personal të fëmijëve dhe të rriturve:

“Në vitin 2015 krijuesja e shkollës bullgare të së dielës Veneta Nenkova më ftoi si psikologe në të. Detyra ime ishte një herë në javë të drejtoja një klasë me fëmijë të moshave të ndryshme - nga 6 deri në 18 vjeç, me qëllim që t’i ndihmoja të fillonin të shpreheshin më mirë, pasi disa prej tyre kishin shqetësime - kujton psikologia. - Fëmijët janë jashtëzakonisht spontanë dhe konstatova se një 6-vjeçar mbart të gjithë gamën e emocioneve në vet veten kur shprehet. Me ndihmën e shumë lojërave, muzikës, këngëve dhe teatrit të kukullave, kaluam një vit shkollor me to. Kështu, në fund të vitit 2016, lindi metoda DIYO - një metodë për transformimin dhe analizën e emocioneve vokale te njerëzit që flasin dy gjuhë.”

Metoda e zhvilluar nga Dimi Komanduçi me të vërtetë i ndihmon njerëzit të kontrollojnë dhe të zotërojnë gjendjen e tyre emocionale kur kanë një takim të rëndësishëm, fjalim ose lloj tjetër paraqitjeje publike. Meqenëse sa herë që komunikojmë, shkëmbejmë emocione, është e rëndësishme t’i ndajmë ato në pozitive dhe negative, shpjegon ajo:

“Nëse në emocionet pozitive i vendosim gëzimin, besimin, sigurinë, entuziazmin dhe kuriozitetin, ndërsa në ato negative zemërimin dhe trishtimin, unë i jap nga një ngjyrë - shpjegon trajneri vokal. - E verdha për gëzim, jeshile për besim, blu për siguri dhe e kuqe për entuziazëm. Ekziston edhe një zë tjetër që unë e quajta “portokalli” - zëri i kuriozitetit. Në rastin e emocioneve negative, ngjyra e zezë është për zërin e zemërimit, dhe gri për trishtimin dhe melankolinë. Megjithatë, e vërteta është se ne komunikojmë më së shumti me zërin tonë të brendshëm, prandaj i dhashë ngjyrën e bardhë. Zëri ka mjetet e tij shprehëse, të cilat unë e quajta “alfabeti i zërit”. Ai përfshin pesë elementë - forcën, tonin, tempin, ritmin dhe buzëqeshjen. Kur i përziejmë ndryshe, krijojmë emocione të ndryshme vokale.”

Në prezantimin e librit në Bibliotekën Kombëtare në Sofje me Rajna Manxhukova dhe Lili Spasova nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit

Pavarësisht nëse punon me fëmijë të vegjël apo me të moshuar, zonja Komanduçi u thotë gjithmonë – “Dëgjoni zemrën kur flisni me dikë, mos dëgjoni kokën”. Metoda që ajo zhvillon mbështet punën e saj me klientët nga biznesi, tregtia dhe politika. Prej dy dekadash ajo punon në Itali, ku e çoi jeta pas një ekskursioni në Krëstova Gora. Duke vizituar zonën e njohur si “Pylli i Shenjtë i Rodopeve”, Dimi kuptoi se aty ndodhin mrekulli dhe ëndrrat bëhen realitet. Pa hezituar, ajo dëshironte të jetonte jashtë vendit. Pas disa ditësh, ajo mori një telefonatë nga një mikeshë e cila e ftoi të jetonte me të në Sicili, për të ndihmuar në kujdeset për fëmijën e shoqes së saj. Që atëherë e deri më sot ajo jeton dhe realizon karrierën profesionale mes Sofjes, Sicilisë dhe Romës. Në Bullgari ajo ishte për prezantimin e librit të saj “Zëri yt mund të ndryshojë jetën tënde”, premiera e të cilit në Bibliotekën Kombëtare u organizua nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit.

Metoda e transformimit dhe analizës së emocioneve vokale DIYO nuk është e vetmja në të cilën punon bashkatdhetarja jonë. Për momentin, vëmendja e saj është e angazhuar me një projekt tjetër, të cilin e quan “Karizma e një bullgari" - frymëzuar sërish nga bisedat me fëmijët e shkollës të së dielës “Asen dhe Ilija Pejkovi” në Romë.

“U kërkova fëmijëve të shkruajnë një ese në të cilën të tregojnë për një bullgar të suksesshëm që e njohin. Megjithatë, doli se askush nuk deshi të shkruajë aq shumë në bullgarisht. Atëherë kuptova se duhet të ndryshoja diçka në qëndrimin tim ndaj tyre. Pas disa vitesh, vendosa që të gjithë fëmijët që janë mbi 7 vjeç dhe përdorin telefona mund ta bëjnë këtë duke bërë një video me telefonin e tyre. Për këtë arsye krijova projektin “Karizmi i bullgarit”, i cili eksploron vlerat psikologjike dhe kulturore të të rinjve bullgarë në mbarë botën. Ai filloi në dhjetor 2019, pak para pandemisë Covid-19. Fatkeqësisht, ai është ende i ngrirë, por shpresoj që përmes jush të arrij më shumë bullgarë që mendojnë se kjo është diçka e rëndësishme dhe e dobishme.”

Me piktoret binjake Elena dhe Stefanija - Tornado Twins Art, Raina Manxhukova dhe Lili Spasova

Dhe derisa e gjithë kjo të bëhet fakt, Dimitrinka Jordanova-Komanduçi po shikon sfidën e radhës - këtë vjeshtë do të hapë Shkollën për edukim mediatik të të rinjve, ku do të jetë një nga mësueset.

Shikoni më shumë:

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: arkiv personal, Facebook/ExecutiveAgencyForBulgariansAbroad





Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nuçi Grozdani–mësuesi nga Pogradeci

Qyteti shqiptar i Pogradecit, i vendosur në bregun jugperëndimor të liqenit të Ohrit, është një vend ku jetojnë dhe punojnë shumë qytetarë shqiptarë me origjinë bullgare. Qyteti është qendra e bashkisë me të njëjtin emër në qarkun e Korçës, në..

botuar më 24-04-21 11.00.PD

Sindi Nikollofski – një shqiptare me rrënjë bullgare e cila jeton në Sofje

Bullgarët në Shqipëri janë njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, por nuk kemi të dhëna zyrtare për numrin e tyre, pasi ende nuk janë publikuar të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë së vitit të kaluar. Jo pak shqiptarë me vetëdije..

botuar më 24-04-16 7.35.PD

Udhëtarja Izabella Shopova bëri kos në kushte të përafërta me ato të Hapësirës

Vështirë se ekziston një djalë që nuk ka dashur të bëhet astronaut. Edhe pse më rrallë, të tilla aspirata kanë edhe vajzat. Mes tyre është udhëtarja Izabella Shopova, heroi më i madh i së cilës në fëmijëri ishte Yuri Gagarin. Ajo i përshkruan udhëtimet e..

botuar më 24-04-11 7.30.PD