Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

Komisioni Evropian kërkon fillimin e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, Komisioneri Evropian për Zgjerim - Maqedonia e Veriut të pranojë ndryshimet në kushtetutën e saj

"Maqedonia e Veriut duhet të zhvillojë një debat nëse dëshiron të ecë përpara drejt evropianizimit të vendit apo të zgjedhë një rrugë drejt historive të errëta të Gadishullit Ballkanik," thotë raportuesi për përparimin e vendit, eurodeputeti Ilhan Kyçyk.

Foto: AFP

Javën e kaluar, Komisioni Evropian rekomandoi që vendet anëtare të fillojnë negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë për anëtarësim në BE, kur paraqesin raportet e tyre për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në Komunitet. Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, kërkoi nga Maqedonia e Veriut që të pranojë më shpejt ndryshimet në kushtetutë. Edhe Bullgaria insiston në të njëjtën gjë, dhe më konkretisht, që bullgarët të përfshihen në dokument si pjesë e barabartë me të gjithë të tjerët.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e shpalli vendimin pas takimit të komisionerëve evropianë të mërkurën e javës së kaluar:

Komisioni rekomandon që Këshilli i BE-së të hapë negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë për anëtarësimin e tyre. Komisioni gjithashtu i rekomandon Këshillit hapjen e negociatave me Bosnjën dhe Hercegovinën kur të arrihet përmbushja e nevojshme e kritereve të anëtarësimit, si dhe t'i jepet Gjeorgjisë statusi i një anëtari kandidat, po të ndërmerren veprime për reformat e domosdoshme.

Von der Leyen saktësoi se negociatat mund të nisin menjëherë pas Këshillit Evropian në dhjetor, nëse liderët japin dritën jeshile për këtë.

Më vonë, gjatë debateve në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçyk nga "Rinovo Evropën", i cili është edhe raportues për Maqedoninë e Veriut, u bëri thirrje të gjitha partive në Maqedoninë e Veriut që të mbështesin ndryshimet në kushtetutë, për të cilat Komisioneri Evropian për Zgjerimin Oliver Varhelyi u përgjigj:

Reforma kushtetuese është pengesa më e madhe për lëvizjen e Maqedonisë së Veriut përpara. Të gjithë që e konsiderojnë veten pjesë përgjegjëse të peizazhit politik të vendit duhet të ndihmojnë në këtë qëllim. Por kjo nuk mund të ndodhë pa parlamentin e saj, kështu që ne duam që të gjithë në të ta bëjnë atë hap përpara.”

Sa gjasa ka të arrihet një marrëveshje nga liderët evropianë për fillimin e negociatave me Ukrainën në dhjetor, duke qenë se ky vendim kërkon unanimitet, është pyetja ime e parë ndaj Kyçykut:

Ilhan Kyçyk

E vetmja mënyrë që e gjithë kjo të mos ndodhë është nëse kryeministri hungarez Viktor Orbán thotë se nuk duhet të ndodhë. Si dhe kryeministri i Sllovakisë Fico për situatën aktuale. Por vullneti politik është i qartë – në raportin e Komisionit Evropian për temën e zgjerimit, para kësaj ishte thënë dhe shkruar shumë qartë, se nëse duhet të kërkojmë ndonjë lajm, atëherë, në fakt, janë dy lajme. Njëri, lajmi më i madh, është fillimi i negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe tjetri është dhënia e statusit, natyrisht, me një kusht të madh, Bosnje-Hercegovinës dhe Gjeorgjisë. Mendoj se është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të jetë shumë konsistent dhe mesazhet të jenë të njëanshme, sepse Ukraina i përket Evropës për nga qytetërimi. Por pas kësaj duhet shtuar edhe një fjali: “Ne kemi përgjegjësi ndaj të ardhmes së këtij vendi”. Dhe kjo përgjegjësi nuk kufizohet vetëm në integritetin territorial dhe ndihmën që jepet nga BE-ja, por duhet të jetë shumë më serioze dhe detyruese, përkatësisht me perspektivën që ajo të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, eurodeputetja hungareze Kinga Gál tha se kjo nuk do të ndodhë derisa Ukraina është në luftë. A mund të shpjegohet kjo vetëm me afërsinë e saj me kryeministrin Orbán apo me diçka tjetër?

Ajo vjen nga partia “Fidesz”. Sigurisht që Orbán është shefi i saj politik dhe ajo flet kështu. Askush nuk po flet për pranimin e Ukrainës në BE sot apo nesër. Po flasim për fillimin e një procesi negociues, i cili do të jetë i gjatë. Nuk është rastësi që sundimi i ligjit është i një rëndësie të veçantë, pasi përfshin edhe të drejtat e pakicave. Hungaria tradicionalisht shpreh shqetësimet e saj. Këtu, edhe Bullgaria duhet të jetë shumë aktive për të mbrojtur të drejtat e atyre njerëzve që jetojnë në territorin e Ukrainës dhe që e përkufizojnë veten si bullgarë dhe kanë një vetëdije etnike bullgare.

Domethënë, një pjesë e Ukrainës mund të pranohet, por jo ajo ku ka aksione ushtarake ose është një territor i diskutueshëm?

“Pa dyshim, kur ka një luftë, ka një konflikt të nxehtë ose ka një konflikt të ngrirë, BE-ja gjithmonë ka preferuar që këto konflikte të zgjidhen, për të mos i futur në shtëpinë e vet. Por në këtë rast të veçantë, unë bëj një deklaratë kategorike - nuk po flasim që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së më 1 janar 2024. Ne po flasim që Ukraina të marrë garanci politike mjaft serioze të cilat të mbështeten nga politikat dhe burimet financiare nga dhjetori 2023. Procesi i negociatave do të zgjasë shumë dhe ne të gjithë e dimë këtë.”

Megjithatë, a është e mundur të pritet një veto nga kryeministrat Orbán dhe Fico në një përpjekje për të bërë tregti me votën e tyre?

Kjo është pyetja e madhe - Këshilli Evropian është bërë kryesisht një vend tregtimi. Por ideja e Bashkimit është ndryshe - të jetë një treg i përbashkët, të jetë një bashkim vlerash. Orbán ka kohë që u shpjegon qytetarëve të tij se ai është fituesi i debatit evropian. Si fitoni kur ka luftë në kontinentin evropian? Si fitoni kur njerëzit vdesin çdo ditë? Dhe kjo nuk është një politikë e arsyeshme dhe e përgjegjshme. Pyetja e madhe që duhet të diskutojmë sot më shumë se kurrë është nëse vetë BE-ja është në gjendje të marrë vendime të mëdha e të rëndësishme në një situatë të pëlqimit absolut të të gjitha vendeve. Përgjigja ime është: "Jo, nuk mund të vazhdojmë kështu". Nëse unanimiteti vazhdon të ekzistojë si një mënyrë vendimmarrjeje në politikën e jashtme të BE-së, Bashkimi do të humbasë autoritetin e tij politik dhe moral. Gjithmonë do të ketë një Orbán, do të shfaqet ndonjë Fico, do të ketë një të tretë apo të katërt që do të duan të minojnë autoritetin e BE-së për të treguar se qëndrojnë më lart se ideja evropiane. Na vjen keq, por askush nuk del para paqes, askush nuk del përpara të drejtës së një populli për të përcaktuar fatin e tij - qoftë Orbán, qoftë Fico apo ndonjë diktator në të ardhmen.

Por kjo kërkon ndryshim të kontratave...

Ashtu është, prandaj kemi pasur një konferencë për të ardhmen e Evropës. Prandaj, ky debat duhet të zhvillohet, aq më tepër gjatë zgjedhjeve evropiane. BE-ja është mbi të gjitha një bashkim vlerash dhe mundësish. Dhe në Bullgari ne gjithashtu duhet të përqendrohemi në këtë - të mos e shohim Bashkimin si frenim. E di kur flasim për ndryshimin e mënyrave të marrjes së vendimeve në politikën e jashtme, çfarë do të më thonë - Maqedonia e Veriut do të përfitojë nga kjo dhe do të anëtarësohet në BE. Askush nuk thotë se zgjidhja e vetme është 2/3 si mënyrë për të marrë një vendim - mund të jetë 27 minus një, mund të jetë 27 minus dy. Dhe të mos e mashtrojmë audiencën e nderuar - kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit në fazën e saj përfundimtare, pra për pranimin e vendeve anëtare në BE, qëndrimi konsensus ka qenë gjithmonë që këto vendime të rëndësishme të merren unanimisht.”

Këto ditë kishte thirrje për të bërë ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe kolegu juaj Angell Xhambazki tha se kjo duhej bërë një vit më parë. Sa larg ka arritur Maqedonia e Veriut në këtë drejtim?


U bënë propozime në një stil shumë telegrafik nga Këshilli i Ministrave të Maqedonisë së Veriut, ato u vendosën për diskutim në Kuvendin Popullor të vendit dhe në një periudhë shumë të shkurtër u pa se nuk kishte konsensus politik. Edhe pse gjatë viteve kam qenë një mbështetës shumë serioz i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, vazhdoj të besoj se secili vend është përgjegjës për fatin e tij. Kemi shumë shembuj nga historia jonë e re. Nëse elita politike në atë moment nuk ishte në gjendje të merrte vendimet e rëndësishme - të bashkonte komunistët që u bënë socialdemokratë, liberalët, partitë politike të djathta dhe të thoshte se rruga e vendit kalon përmes konsensusit dhe marrëveshjes për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së, sot fati i Bullgarisë do të ishte rrënjësisht i ndryshëm. Dhe për fat të keq, ai nuk do të ishte më mirë, por shumë më i keq. Por ne e bëmë këtë zgjedhje të rëndësishme. Tani Maqedonia e Veriut, në nivel të elitës politike, komunitetit akademik, shoqërisë, duhet ta bëjë këtë bisedë me vetveten. A dëshiron ajo të ecë përpara drejt evropianizimit të vendit apo të zgjedhë një rrugë tjetër që do ta çojë në historitë e errëta të Gadishullit Ballkanik. Rruga është e qartë – nëse dëshiron të jetë me Malin e Zi dhe Shqipërinë, apo dëshiron të hyjë në grupin me Serbinë dhe Kosovën, të cilat kanë çështje të pazgjidhura dypalëshe.”

A mund të presim që këto ndryshime të bëhen në të ardhmen e afërt?

Nuk jam optimist sepse po afrojnë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Këtu ka vetëm humbës - BE, Maqedonia e Veriut, por edhe Bullgaria, sepse Bullgaria është edhe fqinje, shteti më i afërt me Maqedoninë e Veriut. Interesi ynë strategjik duhet të jetë që Ballkani në tërësi të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Kjo do të thotë siguri, prosperitet dhe vlera dhe standarde të përbashkëta.

Është interesante që Maqedonia e Veriut nuk ndjek vijën evropiane vetëm sa u përket bullgarëve, që nuk janë përfshirë në kushtetutë. Por ajo iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë dhe zbaton reforma në sektorë kyç. Cila është arsyeja e këtij qëndrimi negativ ndaj bullgarëve - thjesht propagandë apo ka arsye tjetër?

Në këtë bisedë komplekse, ne si shoqëri – ajo bullgare dhe ajo maqedonase, duhej të arrinim në një përfundim të madh - se gjërat që na bashkojnë janë shumë më tepër se ato që na ndajnë, por fitoi urrejtja.”

Është e trishtueshme…

"Po, por është e vërtetë, duhen konstatuar edhe faktet e trishtuara. Kjo është situata aktuale që nga viti 2023."

A ekziston rrezik real që një territor kaq serioz si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova të mbulohet nga një ndikim tjetër dhe të mbetet si “një pykë e shtyrë” në Ballkan?

"Ky ndikim gjithmonë ka ekzistuar, çështja është të mos i japim përparësi."

Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.

Foto: AFP, BGNES, arkiv

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Cila është procedura për marrjen e shtetësisë bullgare?

Në një publikim të mëparshëm Radio Bullgaria ju tregoi për kushtet dhe arsyet për marrjen e nënshtetësisë bullgare . Në rreshtat e mëposhtëm, do t'ju tregojmë për hapat e vetë procedurës. E para prej tyre është paraqitja e një kërkese për shtetësi..

botuar më 24-05-11 8.40.PD

Presidenti u takua me përfaqësues të bullgarëve në Kosovë

Bullgaria i kushton rëndësi të madhe kontakteve aktive me komunitetin bullgar në Kosovë, deklaroi kreu i shtetit Rumen Radev. Ai priti përfaqësues të Shoqatës për Zhvillim dhe Integrim të Bashkësisë Bullgare në Republikën e Kosovës, njoftoi qendra e..

botuar më 24-05-10 9.16.PD

BNR tashmë ka një kanal në TikTok

Nga 9 maji, Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) hyn zyrtarisht në botën e TikTok. Në kanalin e ri media do të ofrojnë video informative, por edhe argëtuese me momente nga transmetimi i të gjitha programeve. Do të tregojë prapaskenat e ngjarjeve më të..

botuar më 24-05-09 10.22.PD