Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Zgjedhjet Evropiane 2024

Radan Kënev për Parlamentin e ardhshëm Evropian dhe debatin e vonuar evropian në Bullgari

Eurodeputeti bullgar është një "kundërshtar i ashpër" i zgjedhjeve "2 në 1".

Foto: Ani Petrova

Pak muaj para zgjedhjeve evropiane, të cilat do të mbahen në të gjithë BE-në midis 6 dhe 9 qershorit, dhe në kontekstin e pasigurt politik bullgar, Radan Kënev, eurodeputeti nga grupi PPE (Partia Popullore Evropiane), i zgjedhur nga lista e DB-së (Bullgaria Demokratike), parashikon përbërjen dhe politikën e Parlamentit të ri Evropian. Sipas tij, nëse do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare kombëtare së bashku me zgjedhjet për Parlamentin Evropian, kjo do të çonte në mjegullimin e temës së rëndësishme të asaj që e pret Evropën në vitet në vijim.

“Unë jam kundërshtar i ashpër i zgjedhjeve “dy në një”, sepse kjo do të thotë që debati europian nuk duhet të zhvillohet fare në Bullgari, madje edhe në formën e tij më të pistë propagandistike”, thotë Kënev, për të cilin mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare vështirë se do të çonte në një rezultat tjetër, ndërkaq, figurat e rëndësishme të politikës bullgare do të jenë të zëna me "mbledhjen" e shumicës dhe qeverisë së ardhshme dhe jo me debatin e rëndësishëm për pesë vitet e ardhshme, pasi pas zgjedhjeve evropiane, do të vijojë formimi i institucioneve të reja evropiane. 

Radan Kënev e përkufizon këtë proces si "një shkëmbim shumë i hollë postesh kundrejt politikave" dhe është ai që do të paracaktojë prioritetet politike për një periudhë pesëvjeçare. “Dhe ne që kemi qenë gjithmonë kriminalisht pasivë në këto marrëdhënie, këtë herë do të mungojmë plotësisht”, parashikon eurodeputeti nga grupi më i madh në PE.

Edhe pse në Bullgari debati për Evropën është shumë vonë, në dy vitet e fundit rëndësia e legjislacionit evropian duket se ka filluar të kuptohet.

“Ne filluam të flasim për ekuilibrin mes politikave europiane dhe kombëtare, të kuptojmë që Parlamenti Europian nuk është vetëm një vend ku votohen rezolutat, por ku punohet për 2/3 e legjislacionit në jetën tonë të përditshme. E gjithë kjo është një temë e zgjedhjeve evropiane”.

Pritshmëritë për rritjen e euroskepticizmit në Parlamentin e ardhshëm Evropian, sipas eurodeputetit bullgar, janë shumë të ekzagjeruara. 

“Nuk ka asnjë lajm se si do të pozicionohet Parlamenti i ardhshëm si në aspektin e unitetit të Bashkimit Evropian ashtu edhe në aspektin e mbështetjes sonë për Ukrainën - pohon Radan Kënev, sipas të cilit, megjithatë, mund të priten ndryshime në fushën e politikave ekonomike dhe mjedisore. - Shpesh anashkalohet fakti që kundërshtarët e politikës së përbashkët evropiane në mbrojtje të Ukrainës janë shumë të paktë në mesin e të ashtuquajturave parti të ekstremit të djathtë. Grupi nacionalist më ekstrem “Identitet dhe Demokraci” nuk është aspak i bashkuar në lidhje me këtë linjë”. 

Parlamenti aktual Evropian punon mbi parimin e shumicës centriste mes liberalëve, socialistëve dhe PPE. Disa çështje të pakta në numër për të cilat nuk është gjetur konsensus, tregojnë ekzistencën e një mazhorance të qëndrueshme rezervë të majtë.

"Me shumë gjasa, në parlamentin e ardhshëm, shumica rezervë do të jetë e djathtë. Por ajo do të mbetet rezervë, sepse askush nuk punon me "Identitet dhe Demokraci" dhe kjo nuk do të ndryshojë", parashikon Kënev.

Foto: Ani Petrova, Pixabay, BGNES

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nën 40% janë ata që dëshirojnë të votojnë për parlamentin evropian dhe atë kombëtar

37.4% e bullgarëve do të votonin në zgjedhjet parlamentare nëse ato do të mbaheshin në fillim të prillit. 34.2 për qind do të merrnin pjesë në zgjedhjet për eurodeputetë, sipas një sondazhi përfaqësues të “Gallup International Balkan”, të kryer për..

botuar më 24-04-12 9.43.PD

Qeveria e përkohshme u betua në parlament

Presidenti Rumen Radev nënshkroi dekretin për emërimin e qeverisë së përkohshme të propozuar nga Dimitër Gllavçev, i cili u propozua për kryeministër, sipas paragrafit 5 të nenit 99 të Kushtetutës. Presidenti caktoi zgjedhjet për eurodeputetë dhe..

botuar më 24-04-09 9.47.PD

Për projekt-përbërjen e kabinetit teknik dhe logjikën e situatës politike në vendin tonë

Dimitër Gllavçev, i cili u caktua kryeministër teknik, para disa ditësh prezantoi përbërjen e qeverisë së përkohshme që do të qeverisë vendin në muajt në vijim deri në zgjedhjet “2 në 1” – për parlamentin kombëtar dhe atë evropian, të cilat do të..

botuar më 24-04-08 4.20.MD