Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

A është e sigurt kozmetika në BE?

Foto: pexels.com/Moose Photos

Madje produktet më të zakonshme që përdorim në jetën tonë të përditshme janë rezultat i proceseve dhe trajtimeve komplekse, materialet e përdorura në të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin tonë. Kjo vlen më së shumti për kozmetikën. Çfarë po bën Bashkimi Evropian për të garantuar sigurinë e këtyre produkteve?

Ngjyrat e ndezura, premtimet e bukurisë dhe aromat joshëse janë tre elementët e paketimit të shumicës së produkteve kozmetike. Çdo zgjedhje e tillë që bëjmë duhet të garantojë edhe shëndetin tonë, sepse kimikatet në to kanë potencialin të ndikojnë negativisht në proceset në trup. Ne e lëmë sigurinë e produkteve të kujdesit personal dhe bukurisë në duart e autoriteteve rregullatore, por është gjithashtu një çështje e përgjegjësisë individuale të informohemi për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme dhe nëse kemi dyshime për cilësinë, të paralajmërojmë autoritetet kompetente.

Sipas disa studimeve shkencore, një grua mesatare përdor rregullisht 6 produkte të kujdesit personal që përmbajnë rreth 85 përbërës të ndryshëm kimikë.

A janë rregulloret e sigurisë së produkteve të konsumit mjaft efektive në nivel evropian? Përgjigja e Gabriella Rumenovës – krijuese e platformës “Ne përdoruesit” dhe eksperte me mbi 15 vite përvojë në zgjidhjen e rasteve të përdoruesve.

Gabriella Rumenova

Është një fakt i padiskutueshëm se me kërkesat e futura që po plotësohen vazhdimisht, në direktivat dhe rregulloret e shumta për sigurinë e përgjithshme të mallrave dhe shërbimeve, në përgjithësi, dhe në sektorë të veçantë, legjislacioni europian ofron shkallën më të lartë të mbrojtjes së konsumatorit. Nuk është rastësi që kur ka probleme, ato janë me produkte që prodhohen në vende të treta dhe përmbushin kërkesat e rregulloreve në fuqi në to, por nuk mund të pranohen në tregun e përbashkët europian për shkak të mospërputhjes me legjislacionin europian. Prandaj jemi dëshmitarë sesi shpesh mbahen takime me përfaqësues të autoriteteve, prodhuesve dhe importuesve, kryesisht nga Kina, për t'i bindur ata se duhet të respektojnë standardet evropiane nëse dëshirojnë të shesin mallrat e tyre në tregun e përbashkët evropian. Në këtë kuptim, po, rregulloret e sigurisë së produkteve të konsumit në nivel evropian janë më të mirat. Një çështje tjetër është se si, pas futjes së këtyre rregulloreve dhe transpozimit të direktivave në fjalë në legjislacionet kombëtare të vendeve anëtare, kryhet mbikëqyrja e tregut nga autoritetet kombëtare të kontrollit, sa e zhvilluar është edhe kultura e konsumatorëve në shoqëritë e ndryshme, në mënyrë që të përdorin efektivisht informacionin e disponueshëm.”

Nga informacioni që keni në dispozicion si eksperte, çfarë konkluzionesh mund të bëni, cila pjesë e përbërësve të përdorur në produktet kozmetike janë subjekt i rregullimit?

Ka një direktivë të veçantë, por edhe një rregullore për produktet kozmetike. Detyra e këtyre akteve normative është të sigurojnë një shkallë të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut. Për këtë qëllim, janë vendosur një sërë detyrimesh për prodhuesit dhe tregtarët e këtij lloji të produkteve, që nga përbërësit e lejuar në prodhimin e tyre - përmes informimit të konsumatorëve për përbërësit e përdorur në një produkt të caktuar, deri te masat për parandalimin e falsifikimit, sepse ai gjithashtu sjell shumë rreziqe”.

Kohët e fundit, po fitojnë popullaritet aplikacione, me ndihmën e të cilave, duke skanuar barkodin e një produkti të caktuar kozmetik, shfaqet një vlerësim i përbërjes dhe sigurisë së tij. Njëri prej tyre - COSMILE, përdor një bazë të dhënash të Komisionit Evropian. Cili është vlerësimi juaj për nisma të tilla?

Mendoj se çdo mënyrë moderne në të cilën përdoruesit mund të arrijnë shpejt dhe lehtë informacionin e sintetizuar, por edhe të verifikuar dhe të besueshëm që i intereson apo duhet t'u interesojë është një mundësi e mirë. Gjëja kryesore është që informacioni të merret nga një bazë të dhënash burimesh zyrtare, si p.sh. Komisioni Evropian, i cili ka regjistrat dhe drejtoritë përkatëse për substancat kimike të lejueshme, në këtë rast në kozmetikë, dhe vlerat kufitare të tyre. Por duhet të keni kujdes për burimet, si dhe cilat janë kushtet e përdorimit të këtyre aplikacioneve – a kërkohen të dhëna personale, a duhet paguar.


Vera po afron dhe gjatë kësaj stine dhe festave shoqëruese duket se përdoret edhe më shumë kozmetikë në krahasim me pjesën tjetër të vitit. Cilat janë këshillat tuaja për konsumatorët, si gjatë pushimeve të tyre këtu në Bullgari ashtu edhe në vendet e tjera evropiane - si të mos mashtrohen dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur kur blejnë kozmetikë? Është bërë trend edhe shitja e produkteve kozmetike, madje edhe ushqimeve, në grupe në rrjetet sociale...

Sigurisht që shitja e produkteve të tilla përmes internetit mbart rreziqe serioze, sidomos kur ato ofrohen nga persona që nuk bëjnë tregti me profesion, por është një lloj aktiviteti ndihmës dhe rrjedhimisht ata nuk mund të mbajnë përgjegjësi nëse vjen deri te një problem shëndetësor. Nuk është e sigurt nëse kozmetika e shitur në internet është origjinale apo jo. Nëse ofrohet si kozmetikë shtëpie, atëherë nuk e dimë se si është përgatitur, si është ruajtur dhe cilët janë përbërësit e saj. Ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kjo vlen edhe për masazhet që ofrohen në plazh, sepse tashmë janë pothuajse kudo. Duhet të kontrollojmë se si ruhet kozmetika e përdorur për to, sepse nëse qëndron 12 orë në temperaturë 40 gradë, e ekspozuar në rrezet e diellit direkte, sigurisht që ndryshon karakteristikat e saj, ndodhin procese kimike që sjellin ndryshime dhe kjo me siguri mbart rreziqe. Duke folur për produktet kozmetike që zgjedhim për verën, ne fokusohemi tek ato që kanë filtra UV. Mirëpo, është mirë të kujtojmë se në fakt disa prej tyre mbrojnë vetëm nga UVB, por ka edhe rrezet UVA dhe UVC që duhet t’i kemi parasysh. Prandaj, kur zgjidhni kozmetikë, është mirë të kërkoni një produkt me mbrojtje me spektër të gjerë.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian po afrohen. Sipas mendimit tuaj, në cilin drejtim duhet të punojnë eurodeputetët e ardhshëm nga pikëpamja e konsumatorit, çfarë do t'u rekomandonit atyre - cilat nisma legjislative do të dëshironit t’i shihni të zbatuara?

Sigurisht që do të doja të shihja përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur fokusin në tregun digjital, ku parandalimi kundër shpërndarjes së mallrave të rrezikshme është më i rëndësishmi, sepse ne e dimë që është më i vështirë kalimi përmes kufijve, por ato shpërndahen relativisht lehtë online. Nuk duhet lejuar projektimi dhe përdorimi i sistemeve që janë të rrezikshme për përdoruesit, për shembull lodra me funksione zanore që provokojnë sjellje të rrezikshme ose pajisje shtëpiake që mund të ndajnë informacione të ndjeshme me të gjithë botën dhe të na bëjnë të pambrojtur. Futja e rregullave për aktivitetet e influencuesve është gjithashtu një temë e rëndësishme, pasi personalitetet me ndikim janë realisht të pranishëm fuqishëm në botën digjitale. Sjellja e tyre ndikon në sjelljen e konsumatorëve të rinj, të cilët janë një grup vulnerabël, dhe jo vetëm në sjelljen e tyre si blerës të mallrave dhe shërbimeve, por edhe në realizimin e tyre si individë në jetën publike. Prandaj, është shumë e rëndësishme të vendosen korniza të caktuara për atë që ata mund të promovonin dhe çfarë nuk munden. Këtu mund të merret një shembull nga ligji i posaçëm në Francë për aktivitetet e ndikuesve, i cili ka pothuajse një vit që është në fuqi”, tha Gabriella Rumenova – krijuese e platformës “Ne përdoruesit”, eksperte me mbi 15 vjet përvojë në zgjidhjen e rasteve të konsumatorëve.”


Të ardhurat e tregut të kozmetikës në mbarë botën për këtë vit pritet të kalojnë 108 miliardë dollarë dhe rritja vjetore në këtë fushë do të jetë më shumë se 4 për qind.

Rregullat e tregut evropian për kozmetikë përditësohen vazhdimisht. Në vitin 2022, mbi 20 substanca janë ndaluar ose kufizuar për t'u përdorur në produkte kozmetike. Nivelet e lejuara të përqendrimit të përbërësve gjithashtu rishikohen shumë shpesh duke marrë parasysh publikimet dhe studimet më të fundit shkencore. Ky proces është i nevojshëm dhe i rëndësishëm për të garantuar sigurinë e miliona konsumatorëve në Bashkimin Evropian.

Për krahasim, një organizatë që bën thirrje për kozmetikë të sigurt në SHBA përmend rregulloret në Bashkimin Evropian si një shembull të mirë, duke thënë se gjatë 20 viteve të fundit, rreth 24 000 kimikate janë ndaluar të përdoren në produktet kozmetike, ndërsa në SHBA për të njëjtën periudhë janë ndaluar vetëm 13.

Në prezantimin në mars të raportit vjetor të Safety Gate - sistemi evropian për shkëmbimin e shpejtë të informacionit për mallrat e rrezikshme të konsumit, i cili ndihmon në tërheqjen e tyre nga tregu, Komisioneri Evropian për Drejtësinë Didier Reynders tha se vitin e kaluar produktet kozmetike ishin më shpesh të klasifikuara si përbërës që përmbajnë elementë që paraqesin rrezik për shëndetin:

Didier Reynders

"Çdo ditë, autoritetet kombëtare nga 30 vende futin informacion në sistem për veprimet e tyre - për të ndaluar ose kufizuar shitjen e produkteve të rrezikshme të zbuluara në tregjet e tyre, për të ndaluar produktet e rrezikshme në kufijtë e tyre ose për të urdhëruar tërheqjen e tyre nga tregu. Menjëherë pasi autoritetet kombëtare futin informacionin në sistem, sinjali kontrollohet nga Komisioni Evropian dhe u dërgohet autoriteteve kompetente për t'u siguruar që produkte të tilla të mos qarkullojnë në tregje. Pra, ekziston një sistem me bashkëpunim të mirë midis autoriteteve për të siguruar mbrojtje në mbarë Bashkimin Evropian. Vitin e fundit për herë të parë në sistemin e mallrave të rrezikshme më së shpeshti janë regjistruar produktet kozmetike. Në vend të dytë janë lodrat e fëmijëve, mjetet motorike dhe pajisjet elektrike. Rreziku shëndetësor në kozmetikë lidhet me substancat kimike. Një shembull është kimikati i aromës sintetike butilfenil metilpropional, i cili është ndaluar që nga marsi 2022 sepse mund të dëmtojë pjellorinë dhe të acarojë lëkurën." - – tha Komisioneri Evropian për Drejtësi Didier Reynders. Në dhjetor, legjislacioni i ri (General Product Safety Regulation -Rregullorja e Përgjithshme e Sigurisë së Produkteve) do të hyjë në fuqi dhe do të duhet të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare, i cili përditëson rregullat e sigurisë për mallrat e konsumit, pavarësisht nga vendi i origjinës apo nëse ato shiten në dyqane apo në internet. Legjislacioni i ri synon të përmirësojë pajtueshmërinë me rregullat e sigurisë dhe mbikëqyrjen e tregut, si dhe ta bëjë më të lehtë tërheqjen e produkteve të rrezikshme.

Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.

Foto: pexels.com/Moose Photos, arkiv

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgarët maqedonas janë të ngopur me zgjedhjet e shpeshta

Interesimi për zgjedhjet për Parlamentin bullgar dhe Parlamentin Evropian në Maqedoninë e Veriut është i njëjtë si në zgjedhjet e mëparshme - numri i votuesve pritet të jetë i njëjtë, rreth 130. Por bullgarët e Maqedonisë së Veriut u ngopën me votimin e..

botuar më 24-06-09 7.27.MD

A do të mbizotërojë vota e protestës është pyetja e madhe në këto zgjedhje

“Nëse duhet të bëjmë një krahasim mes Bullgarisë dhe Holandës, të dyja vendet vitin e fundit ranë në një situatë të vështirë lidhur me pamundësinë e formimit të qeverisë. Duheshin krijuar koalicione jashtëzakonisht të vështira dhe kjo nuk mund të..

botuar më 24-06-09 10.15.PD

Bullgaria voton për Asamblenë Kombëtare dhe Parlamentin Evropian

Sot është ditë zgjedhjesh në Bullgari - votojmë për 17 deputetë bullgarë në Parlamentin Evropian prej 720 anëtarësh dhe për 240 deputetë për Asamblenë e 50-të Kombëtare të vendit tonë. Në garën zgjedhore marrin pjesë 32 formacione politike - 20..

botuar më 24-06-09 7.15.PD